Në programin e pasur të Teatrit Kombëtar për muajin tetor, ka zënë vend edhe premiera e shfaqjes “Dasma e Kallajxhiut” e cila do të jepet nesër, më 13 tetor, duke filluar nga ora 20:00. “Dasma e Kallajxhiut”, është një shfaqje mbi tekstin e autorit irlandez, John Millington Synge, ndërsa vjen në regjinë e regjisores së mirënjohur, Sevdije Ajeti, e cila për Radio KFOR-in shpalosi fabulën e saj: “Shfaqja ‘Dasma e Kallajxhiut’ shqyrton karaktere mjaftë interesante, në veçanti të Sara Kejsit, bashkëshortja e Majkëll Bërn, e cila është e martuar por pa kurorë dhe ajo dëshiron që prifti i fshatit t’i bëjë kurorë në mënyrë që ajo të fitoj status, dinjitet dhe të jetë e respektueshme në shoqëri. Këtu hasim në dy probleme, prifti i cili nuk do t’i kurorëzojë nëse ata nuk e paguajnë tarifën e tij e cila është e lartë dhe problemi tjetër është nëna e Majkëll Meri Bërn.”
Znj. Ajeti, gjithashtu tha se deri tek finalizimi i shfaqjes ka qenë një rrugë plot sfida, për shkak të masave të pandemisë së CoViD-19 dhe ndër të tjera shtoi: “Ecuria për realizimin e kësaj shfaqjeje ka filluar në mes të shtatorit, nuk ka qenë e lehtë deri sa kemi vendos me fillu, për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e virusit COVID- 19 , por për këtë periudhë sa kemi punuar besoj se kemi arritur të realizojmë një shfaqje të lezetshme për publikun.”
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Valina Muçolli, Gramoz Malaj, Kumrie Hoxha dhe Burim Koprani, ndërsa për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e COVID-19, vetëm 50% e sallës së teatrit do të shfrytëzohet nga publiku.