Sot (15.09.20), në orët e hershme të mëngjesit, ka ndërruar jetë aktori i mirënjohur kosovar, Adem Mikullovci. Arti dhe skena kulturore shqiptare mbeti edhe pa aktorin Mikullovci. Ky vit pandemie, mori edhe dy yje të tjerë të mëdhenj të skenës teatrale, Leze Qena dhe Nexhmije Pagarusha, të cilat ikën për në banesën e tyre të fundit, pa përcjelljen e denjë nga populli, që i deshi aq shumë.
Aktori i ndjerë Mikullovci, për vdekjen e aktores Leze Qena, kishte shkruar një tekst në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku thoshte se bashkë me ikjen e saj u mbyll dhe një teatër. “Po e lëshoj perden dhe po i fiku dritat….Teatri i jonë Leze-u mbyll”, ishin fjalët e aktorit për aktoren e ndjerë, Leze Qena.
Në vijim mund të lexoni statusin e plotë që aktori që na la sot, Mikullovci, ia dedikoi aktores së ndjerë Leze Qena: “ELIZABETE – Më shkove edhe ti..! A të kujtohet Leze kur ndejtëm bashkë herën e fundit qesheshim me fatin që ne të dy mbetëm Mohikanët e fundit dhe pyeteshim se a thua cili nga ne do të shkon i pari te Xhevati: Unë thash:”Leze unë do të shkoj para teje”…Ti ma kape veshin dhe më bërtite: “Përkundrazi unë shkoj para teje, mua më ka grua e ty vetëm shok”.. Dhe ja! Ashtu edhe ndodhi Elizabett..Mua më lat të fundit dhe unë s’kam qare pa ardhë te ju. Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat….Teatri i jonë Leze-u mbyll”.