Me datën 20 tetor, Kosova do ti bashkohet shumë vendeve të botës, të cilat shënojnë sot ‘Ditën Ndërkombëtare të Kontrollorit të Trafikut Ajror’, e cila nderon përkushtimin dhe profesionalizmin e kontrollorëve të trafikut ajror, të cilët garantojnë sigurinë dhe efikasitetin e fluturimeve anembanë globit.
Ky profesion jetësor, është thelbësor për funksionimin e sistemit të aviacionit, duke udhëhequr dhe monitoruar çdo lëvizje të avionëve në hapësirën ajrore. Në Kosovë, kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe në qendrën e kontrollit të hapësirës ajrore, kanë një rol të rëndësishëm për sigurinë e udhëtimeve ajrore, duke menaxhuar me profesionalizëm volumin në rritje të fluturimeve.
‘Dita Ndërkombëtare e Kontrollorit të Trafikut Ajror’, u shënua për herë të parë më 20 tetor, të vitit 1961, për të rritur ndërgjegjësimin për rolin kyç që ata luajnë që ne të kemi fluturime të sigurta dhe efikase. Në këtë datë, Kosova dhe shumë vende të tjera rikonfirmojnë rëndësinë e këtij profesioni dhe mbështetjen ndaj njerëzve që punojnë pa u lodhur, për të mbajtur qiejt tanë të sigurt.







