“Ngritja e zërave të grave dhe vajzave për të zhbllokuar mundësitë e pafundme të botës sonë”, është kjo tema me të cilën shënohet sivjet “11 Korriku – Dita Botërore e Popullsisë”.
Fuqizimi i grave jo rastësisht është zgjedhur që të jetë tema që trajton kjo ditë sivjet, meqë gratë përbëjnë 49.7% të popullsisë globale dhe shoqëritë duhet avancojnë barazinë gjinore, për të krijuar një botë më të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë. Përndryshe “Dita Botërore e Popullsisë” është një ngjarje vjetore, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për çështjet globale të popullsisë. Më 11 korrik të vitit 1987, Kombet e Bashkuara festuan ditën e pesë bilion njerëzve që jetojnë në Tokë, dhe dy vjet më vonë, në vitin 1989, kjo ditë u shpall “Ditë Botërore e Popullsisë”, për të tërhequr vëmendjen për problematikat dhe nevojat aktuale të popullsisë. Arsyeja kryesore për shënimin e ‘Ditës Botërore të Popullsisë’, është rritja e ndërgjegjësimit për çështjet që mund të lindin me rritjen e popullsisë. Qëllimi është të përhapet vetëdija se si mbipopullimi mund të dëmtojë ekosistemin. Sipas statistikave zyrtare, popullsia e botës aktualisht është rreth 8.019 miliardë njerëz.