Jeta pa art do të ishte e zbrazët dhe pa ngjyra. Sot (15 prill), kudo në botë shënohet ‘Dita Botërore e Artit’, e cila u deklarua nga Shoqata Ndërkombëtare e Artit, për të promovuar ndërgjegjësimin e veprimtarisë krijuese në të gjithë botën. Pavarësisht nëse jemi apo jo të vetëdijshëm, ne jemi të rrethuar nga forma arti kudo. Mund të jetë një skulpturë, një pikturë, një fotografi, një këngë, një poezi ose diçka e ngjashme.
Ajo që me art është rritur dhe atë vazhdon ta ketë pjesë të pandashme të jetës së saj, është piktorja e mirënjohur Zake Prelvukaj, e cila për Radio KFOR-in ofroi një këndvështrim shumë interesant për artin: “Arti është lidhje ndër njerëzore, shpirtërore dhe fizike. Arti tejkalon gjithçka, ai nuk ka korniza, ai ecë në rrugët e pashtruara, fle e zgjohet edhe kur e ngulfasin dhe shkelin, ai duron, nuk vdes kurrë, por ngritët kur është i vërtetë. Ne e krijojmë atë, pastaj kur më s’jemi, me të jetojnë dhe e kultivojnë pasardhësit tanë. Arti është vet universi”, nënvizoi artistja, Prelvukaj.
Kujtojmë se Dita e parë Botërore e Artit, u mbajt më 15 Prill, të vitit 2012, për nder të ditëlindjes së piktorit, skulptorit, shkrimtarit, mendimtarit, filozofit, matematicientit dhe novatorit shkencor Italian, Leonardo da Vinçi, si një simbol i paqes në botë, lirisë së shprehjes, tolerancës dhe vëllazërimit.