Kalimi nga stina në stinë, natyrshëm sjell tek ne jo vetëm ndërrim rutine por edhe ndikime psikologjike. Pasi jemi në fazën e ndërrimit të stinëve verë-vjeshtë, Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me Psikologen Klinike – Psikoterapiste Trupore, Antigona Qenaj Sejdiu, e cila tregoi ndikimin që ka ndërrimi i stinëve tek njerëzit: “Me përfundimin e verës, njerëzit fillojnë që aktivitetet të cilat i kanë bërë gjatë verës, atë energjinë e verës, diellin, pastaj aktivitetet jashtë shtëpisë, me ardhjen e vjeshtës të gjitha këto tashmë duhet që dalëngadalë t’i zvogëlojmë, të përshtatemi me kushtet atmosferike të cilat ndryshojnë në stinën e vjeshtës, dita është më e shkurtër dhe orët me diell më të pakëta. E gjitha kjo ndikon në gjendjen tonë emocionale dhe jemi më pak të motivuar pasi edhe nuk kemi shumë aktivitete dhe këtu fillon gjendja emocionale, që ndryshe quhet ‘depresion sezonal’ të na përcjellë deri në fillim të pranverës.”
Se si duhet ta përballojmë më lehtë kalimin nga stina në stinë, psikologia Sejdiu, këshillon: “Duhet që gjatë verës të marrim sa më shumë rreze të diellit, rrjedhimisht të vitaminës D, që është shumë me rëndësi jo vetëm për organizmin në aspektin fizik por edhe për gjendjen psikologjike, duhet të ndryshojmë rutinat, ti përshtatemi edhe kushteve dhe të bëjmë aktivitet më shumë, edhe nëse është ditë me borë duhet të bëjmë akvtitet, në shtëpi të kemi bashkëbisedime të vazhdueshme me familjarë dhe mos harroni që gjithçka varet nga mënyra se si ne i qasemi problematikave dhe duhet të punojmë sa më shumë me vetën që edhe këtë ndryshim sezonal ta marrim në aspekt sa më pozitiv.”
E ju miq mos harroni ta jetoni çdo sezone, ndërsa ajo kalon, të shijoni frutat e mrekullueshëm që secila stinë sjell dhe t’i shijoni ditët dhe kohën e lirë edhe duke kryer aktivitetet që ju i doni.