Me zhvillimin e vazhdueshëm të teknologjisë, fëmijëve u është mundësuar që të kenë qasje pothuajse në çdo përmbajtje në internet, përkundër faktit që përmbajtja e tyre është e papërshtatshme për moshat e tyre. Filmat bëjnë pjesë po ashtu në mesin e këtyre përmbajtjeve, meqë kohëve të fundit, kinematografia moderne është mbushur me skena të natyrave të ndryshme, madje edhe tronditëse.
Se çfarë ndikimi kanë filmat me këto përmbajtje tek fëmijët, Radio KFOR-i ka kontaktuar psikologen klinike, Antigona Qenaj Sejdiu, e cila tha: “Nëse fëmijët do të lejohen të shohin filma +18, kjo nënkupton se ata nuk do të arrijnë të kuptojnë mesazhin e filmave, meqë mosha e tyre nuk përputhet me kapacitetin mendor dhe emocional të cilin e ka një i rritur për të kuptuar ngjarjen e filmit, për të analizuar personazhet apo situatat në film. Mos të flasim për filma që shkaktojnë ankth dhe frikë, sepse janë të dhunshëm. Këta filma mund të shkaktojnë trauma tek fëmijët dhe mund të kenë efekte shumë negative në shëndetin mendor dhe emocional gjatë gjithë jetës te ta.”
Psikologia Qenaj Sejdiu, këshillon prindërit për kujdes të shtuar gjithashtu: “Fëmijëria është koha kur ne zhvillojmë karakterin tonë, andaj prindërit janë ata që do të orientojnë fëmijët e tyre se kush do të bëhen ata në të ardhmen. Prandaj, duhet të kontribuojnë që fëmijët të rriten në një ambient paqësor dhe të përshtatshëm për moshën e tyre.”