Nuk është gjithmonë e lehtë të bësh zgjedhjet e duhura dhe të shëndetshme në ushqim, kur e kemi parasysh dinamikën e jetës së sotme. Megjithatë, kur zgjedhim ushqimet që konsumojmë, ne po ashtu kujdesemi që të jemi të shëndetshëm në vazhdimësi, duke mbrojtur veten nga sëmundje të ndryshme. Shtimi i peshës është një nga rreziqet më të mëdha që lidhen me ngrënien e tepërt. Kur ne marrim më shumë kalori sesa të jemi në gjendje të djegim, atëherë ne fillojmë të shtojmë kilogramë.
Rreth shtimit të peshës dhe efekteve të ngrënies së tepërt, Radio KFOR-i bisedoi me Nutricionisten Vala Pupovci, e cila tregoi për efektet negative të teprimit me ngrënien e ushqimit: “Pavarësisht që mund ta teprojmë me ushqim, unë nuk preferoj askënd të mbajë dieta që përmbajnë vetëm një produkt apo janë të përbëra vetëm nga lëngjet. Ushqimi i tepruar mund të ndikojë në shtimin e kilogramëve, pasi që gjatë kohës së festave mund të kemi konsumuar më shumë ushqime por edhe lëngje. Ushqimi i tepruar sjellë edhe efekte të tjera tek njerëzit siç janë: vështirësitë në tretje pastaj edhe probleme me reflux (thartinë).”
Nutricionistja Pupovci, këshilloi për fund që në këtë kohë njerëzit të mundohen të ushqehen me ushqime të përgatitura në shtëpitë e tyre dhe të përfshijnë në dietën e tyre llojshmëri të frutave dhe perimeve dhe të mundohen të ulin konsumimin e mishit dhe karbohidrateve, pasi që shumica kanë konsumuar pak më shumë kalori gjatë festave.