Jemi në kohën më të bukur të vitit, ani pse i tëri ka qenë i përshkuar edhe me sfida të shumta për të gjithë, ne jemi zyrtarisht në sezonin e festave të fundvitit. Nga Dita e Falënderimeve e deri në Krishtlindje dhe në ndërrimin e mot moteve, festat janë një kohë për t’u mbledhur me miqtë dhe familjen si dhe për të festuar gjithçka për të cilën jemi mirënjohës në jetë. Dritat, ngjyrat, stolisja e bredhit, përgatitja e dhuratave për më të dashurit tanë, sigurisht kanë ndikime pozitive në shëndetin tonë mendor. Por, këtë më mirë na e thotë, psikologu Jeton Selimi, i cili në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, vuri në dukje këtë fakt: “Festat e fund vitit në aspektin psikologjik supozohet të kenë ndikim pozitiv në rregullimin e humorit dhe ndryshimin e gjendjes emocionale. Qëllimi është që të përmbushim sa më shumë dëshirat, nevojat dhe kërkesat që kemi përgjatë vitit dhe përmes festave të fund vitit, të mundohemi të përçojmë energji pozitive, komunikim më të afërt me personat që janë pjesë e jetës tonë. Atmosfera festive, shkëmbimi i dhuratave dhe falënderimet, pa dyshim që luajnë një rol të rëndësishëm në ngritjen e vetëbesimit dhe respektit reciprok në mes individëve të përfshirë. Përmes kohës që kalojmë me personat tonë më të dashur, ne kemi tendencë të krijojmë frymë dhe energji pozitive e cila na përcjellë gjatë gjithë kohës”, tha psikologu, z. Selimi.
Kur imagjinojmë festat, menjëherë mendojmë për një kohë të gëzueshme e të lumtur dhe ne urojmë që të lumtura t’i keni edhe ju këto festa të fund vitit.