Parkinsoni është një çrregullim progresiv i sistemit nervor që ndikon kryesisht në lëvizje, duke shkaktuar dridhje, ngurtësi muskujsh dhe vështirësi në koordinim. Megjithatë, përtej simptomave fizike, kjo sëmundje prek edhe aspektet emocionale dhe sociale të jetës së pacientëve, duke e bërë përballjen me të, një sfidë të përditshme. Edhe pse aktualisht nuk ekziston një kurë përfundimtare për parkinsonin, trajtimet moderne dhe terapitë e ndryshme mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Përkrahja familjare dhe sociale mbetet, po ashtu, një element kyç në përballimin e kësaj sëmundjeje.
Prandaj, çdo vit, më 11 prill, bota shënon “Ditën Botërore të Parkinsonit”, një moment i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi një nga sëmundjet neurologjike më të përhapura dhe për të mbështetur miliona njerëz që jetojnë me këtë gjendje.
Në këtë ditë, mesazhi është i qartë: më shumë informim, më shumë mbështetje dhe më shumë shpresë për ata që jetojnë me parkinson. Sepse çdo hap drejt ndërgjegjësimit është një hap drejt një të ardhmeje më të mirë.







