Në një kohë kur rrjetet sociale po dominojnë ‘Dita Botërore e Televizionit’, është një moment për të reflektuar mbi transformimin e mediave dhe besueshmërinë e burimeve tradicionale. Sot me 21 nëntor, shënohet ‘Dita Botërore e Televizionit’, e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të theksuar rolin e televizionit në informim, edukim dhe lidhjen e njerëzve në mbarë botën. Kjo ditë synon të nxisë debate mbi çështjet globale dhe sociale, të promovojë informim të saktë dhe të mbështesë lirinë e mediave. Televizioni, si një nga mediumet më të fuqishme, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek opinioni publik, duke u bërë një instrument kyç për ndërgjegjësimin dhe ndryshimin shoqëror.
Organizatat mediatike dhe komunitetet përdorin këtë ditë për të reflektuar mbi ndikimin e teknologjisë dhe për të promovuar transmetime cilësore, që forcojnë edukimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. ‘Dita Botërore e Televizionit’ është një kujtesë e rëndësishme se si media mund të shërbejë si zë i informuar dhe ndihmues për shoqërinë globale.







