Sot, 16 tetor, bota shënon “Ditën Botërore të Shtyllës Kurrizore”, me qëllim të nxitjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit të shpinës apo boshtit kurrizor dhe parandalimit të problemeve me shpinën.
Në të gjithë botën, afër 1 miliard persona vuajnë nga problemet me boshtin kurrizor dhe për të shënuar këtë ditë, organizatat shëndetësore, mjekët dhe komunitetet mbajnë aktivitete dhe fushata të ndryshme, për të edukuar njerëzit rreth mënyrave të mbrojtjes së shpinës dhe ruajtjes së boshtit kurrizor.
Këtë vit, tema e cila është caktuar që të shënojë këtë ditë, thotë “Përqendrimi në rreziqet e shpinës”, e cila thekson rëndësinë e parandalimit të dëmtimeve të shpinës përmes aktiviteteve fizike, pozicionimit të drejtë të trupit dhe kujdesit të duhur ndaj shtyllës kurrizore.
Kujdesi ndaj shpinës, nuk duhet të jetë prioritet vetëm për ata që kanë probleme me shpinë, mirëpo kjo është një çështje e përgjithshme shëndetësore, që duhet të përfshijë të gjithë, përmes edukatës dhe veprimeve të ndërmarra, ne mund të përmirësojmë shëndetin tonë dhe të zvogëlojmë rrezikun e problemeve me boshtin kurrizor.