Për të pestin vit me radhë në Kosovë, është realizuar projekti “Muzika, një urë në mes popujve nga shkollat e muzikës për paqe 2018’, organizuar nga Instituti i Paqës, Zhvillimit dhe Inovacionit (IPSIA).
Në këtë projekt, i cili ka nisur realizimin e tij që nga data 14 korrik dhe përfundoi dje, u prezantuan mbi 100 nxënës të shkollave të muzikës, nga 10 shtete të ndryshme të botës.
Për të mësuar se cili është qëllimi i realizimit të këtij projekti, ne kontaktuam koordinatorin nga IPSIA, Visar Haxhifazliu, i cili tha se përmes kesaj nisme, synohet shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira dhe performimi i përbashkët në koncerte dhe festivale.
Ne kemi vërejtur se shumica e qytetarëve në Kosovë si dhe në shtetet rrethuese, dëshirojnë që të “rindërtojnë” një klimë të besimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të cilat e përbëjnë Ballkanin. Duke u bazuar në faktin që për gati më shumë se 20 vite nxënësit tanë, profesorët por në përgjithësi edhe shkollat tona nuk kishin kontakte me shkollat muzikore nga shtetet tjera ballkanike si dhe ato në Evropë, lindi ideja që popujt që vijnë nga vende të ndryshme të shteteve të Ballkanit të kthehen dhe të “flasin“ me ndihmën e muzikës, nëpërmjet fëmijëve, nxënësve dhe profesorëve të tyre”,nënvizoi Haxhifazliu.