Më 21 qershor, shënohet ‘Dita e Muzikës’, e njohur ndërkombëtarisht edhe si “Fête de la Musique”. Kjo ditë e veçantë, e cila përkon edhe me solsticin veror, synon të nderojë artin muzikor dhe të promovojë diversitetin kulturor përmes performancave të ndryshme pa pagesë në hapësira të hapura publike.
E nisur si iniciativë fillimisht në Francë në vitin 1982, nga Ministria e Kulturës e asaj kohe, kjo festë tashmë është shndërruar në një fenomen global që manifestohet në qindra qytete në mbarë botën. Parimi kryesor i kësaj dite mbetet i pandryshuar që nga fillimi: t’u jepet mundësia muzikantëve të të gjitha niveleve si atyre profesionistë, ashtu edhe amatorë, që të performojnë vullnetarisht nëpër rrugë, sheshe, parqe e qendra kulturore, duke e bërë muzikën të qasshme për të gjithë pa dallim.
Përtej argëtimit ‘Dita Botërore e Muzikës’, mbart një mesazh të fuqishëm të paqes dhe bashkëpunimit, duke dëshmuar se gjuha e tingujve është universale dhe i kapërcen kufijtë gjuhësorë e gjeografikë.







