Muzetë në Kosovë nuk janë thjesht vende ku ruhen objekte të së kaluarës – ata janë kujtesa jonë kolektive. Në një vend me një histori të pasur dhe sfida të shumta, muzetë shërbejnë si ura lidhëse mes të kaluarës dhe të ardhmes, mes brezave dhe identiteteve të ndryshme që bashkëjetojnë në këtë hapësirë.
Pikërisht sot me 18 maj, vendet anembanë botës shënojnë ‘Ditën Ndërkombëtare të Muzeve’, një datë kjo e rëndësishme që nxjerr në pah rolin e muzeve si qendra të kulturës, edukimit dhe dialogut shoqëror. Kjo ditë, u iniciua nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) në vitin 1977 dhe synon të ndërgjegjësojë publikun për kontributin që muzetë japin në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve. Në Kosovë, kjo ditë ka marrë gjithnjë e më shumë vëmendje, me aktivitete të veçanta në institucione të rëndësishme si Muzeu i Kosovës në Prishtinë, Muzeu Etnologjik, Muzeu i Pejës, Muzeu i Gjilanit dhe shumë të tjerë që pasqyrojnë pasurinë kulturore dhe historike të vendit tonë.
Tema e sivjetme e ‘Ditës Ndërkombëtare të Muzeve’, është caktuar’ E ardhmja e muzeve në komunitete, që po evoluojnë me shpejtësi” përqendrohet në përfshirjen dhe qëndrueshmërinë, duke theksuar se muzetë nuk janë më institucione të mbyllura në vetvete, por hapësira të gjalla që kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të vetëdijshme dhe gjithëpërfshirëse.
Për ne në Kosovë, kjo ditë është një ftesë për reflektim dhe angazhim: të mbështesim muzetë tanë, t’i vizitojmë më shpesh dhe t’i shohim si pjesë aktive të jetës sonë kulturore dhe qytetare. Sepse përmes muzeve, ne ruajmë jo vetëm historinë, por edhe shpresën dhe identitetin tonë për të ardhmen.







