Muaji tetor ka veçantinë e tij, për shkak të simbolikës që e karakterizon, e që është vëmendja që i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Në kuadër të këtij muaji, po vazhdojnë të realizohen aktivitete të ndryshme në nder të kësaj dite. Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës po vazhdon të ofroj mamografi falas, për gratë si dhe po realizon maratona të ndryshme, pikërisht për shëndetin, për ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit.
“Të gjithë bashkë mund të bëjmë shumë. Ju lutem të shtrenjtat tona nëna, të dashura motra e gra, bëjini kontrollet mjekësore, bëjeni mamografinë, të cilën mund ta bëni falas, në tri Qendra të Mjekësisë Familjare. Kontrollet dhe zbulimi i hershëm i sëmundjes së kancerit të gjirit, mund të shpëtojnë jetë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Drejtorisë së Shëndetësisë.
Për 31 ditë, të këtij muaji të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, shiritat rozë do të shfaqen gjithandej.