Hardh Fest është një nga ngjarjet më të njohura kulturore në Rahovec, që feston traditën e gjatë të kultivimit të rrushit dhe prodhimit të verës në këtë rajon. Ky festival mbledh çdo vit vizitorë nga vende të ndryshme, duke ofruar degustime vere, aktivitete kulturore, koncerte muzikore dhe ekspozita artizanale. Këtë vit, pjesë e festivalit do të jetë grupi legjendar i muzikës pop Modern Talking. I udhëhequr nga vokalisti Thomas Anders & Band, grupi do të vijë për herë të parë në Kosovë për një performancë të veçantë në kuadër të Hardh Fest, që do të mbahet në datat 4, 5 dhe 6 shtator në Rahovec.
Koncerti pritet të sjellë hitet që kanë shoqëruar breza të tërë, përfshirë “Cheri, Cheri Lady”, “You’re My Heart, You’re My Soul” dhe “Brother Louie”, duke ofruar një përvojë muzikore nostalgjike dhe të paharrueshme për publikun.
Hardh Fest 2026 pritet të jetë një edicion i veçantë, duke ndërthurur emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare me identitetin lokal, përvojën kulturore dhe mikpritjen karakteristike të Rahovecit.







