Në kuadër të “Feminist Talk”, Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” në bashkëpunim me Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist do të organizojnë bisedën e radhës me studiuesen e çështjeve gjinore, Mirishahe Syla. Në kuadër të kësaj bisede, e cila do të mbahet të enjten (23.01.2020), do të diskutohet për ekofeminizmin. Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me Znj. Syla, e cila na tregoi për arsyen e përzgjedhjes së kësaj teme për diskutim. “Ekofeminizmi është teori e re në teoritë feministe në përgjithësi, por shumë aktuale me çka po ndodh në botë. Arsyeja pse kemi me diskutu për këtë temë, është me i gjet disa ngjashmëri, të cilat i paraqet ekofeminizmi mes shtypjes apo dominimit që njerëzit e bëjnë ndaj njëri-tjetrit, mes kategorive të ndryshme, siç ndodh në sisteme të ndryshme, për shembull, në shoqëri patriarkale, burrat i dominojnë gratë dhe si shihen gratë më shumë si resurse se si individ me të drejtat e tyre. E njëjta po ndodh edhe ndaj natyrës. Po bëhemi shoqëri që e shohim njeriun si bazë të gjithçkaje dhe në një farë mënyre e dominojmë natyrën dhe e shohim si resurs, në vend që ta shohim si diçka që është e nevojshme, që duhet me jetu në harmoni me njëri-tjetrin. Mesazhi im është që njerëzit të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin dhe me natyrën.”
Në anën tjetër, menaxherja për komunikim në Fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”, Sihana Klisurica, për Radio KFOR-in bëri të ditur se ky është diskutimi i dytë në kuadër të projektit “Feminist Talk”. Ajo bëri të ditur se diskutimi i parë është bërë gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar (2019) me Mirjeta Qehaja, për shtypjen që u bëhet grave të Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian (RAE).