‘Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut’, shënohet çdo vit më 14 qershor, një ngjarje që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut si dhe të shprehë mirënjohje ndaj atyre që dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë. Gjaku është një komponent jetik që nuk mund të zëvendësohet apo të prodhohet artificialisht. Ai është i nevojshëm për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, si kanceri, anemitë e rënda, komplikimet e shtatzënisë dhe për personat që pësojnë aksidente apo ndërhyrje kirurgjike të mëdha. Pavarësisht zhvillimeve në mjekësi, mungesa e gjakut të sigurt mbetet një problem serioz. Pikërisht për këtë arsye, kjo ditë është një thirrje e fuqishme për të inkurajuar sa më shumë njerëz të bëhen dhurues të rregullt të gjakut.
Një dhurim gjaku, mund të shpëtojë deri në tre jetë. Prandaj, më 14 qershor dhe çdo ditë tjetër, të mos harrojmë: dhurimi i gjakut është një akt dashurie, solidariteti dhe humanizmi, një jetë që i jepet dhuratë dikujt.







