Në ‘Ditën Botërore të Infermierëve’, që shënohet çdo vit, më 12 maj, më shumë se asnjëherë tjetër, u jemi mirënjohës të gjithë mantel bardhëve , të cilët me të drejtë i quajmë heronj, sepse janë pikërisht ata që u gjinden pranë pacientëve, duke e rrezikuar edhe shëndetin e tyre dhe të familjeve të tyre.
E tillë është edhe infermierja, Luljeta Musliu, e cila ishte aty ku më së shumti nevojitej prezenca e saj, për ata që po përballeshin me virusin covid-19, duke u infektuar edhe vet me këtë virus. Për këtë përvojë të rrezikshme, punën e saj prej infermiereje dhe për shërimin e saj, ekskluzivisht për Radio KFOR-in, foli, vet zonja Musliu: “Duke u kujdesur për ju, nuk më ra ndërmend të kujdesem për veten edhe pse rrezikova edhe familjen duke rezultuar pozitiv me COVID-19. Unë isha aty në mesin tuaj, pavarësisht që isha njëra ndër të infektuarat, u mundova që të ju ndihmoj dhe të ju mbështes që ta kalojmë së bashku këtë sfidë. Ne nuk kërkojmë brohoritje me zë të lartë e as duartrokitjet tuaja. Gjithsesi faleminderit. Por herën tjetër që ju duhet një infermiere ju lutemi ndaluni pak për të menduar se çfarë bënë një infermiere dhe të keni kujdes çfarë bëni ju”, tha mes tjerash zonja Musliu.
Infermierja Musliu, pati edhe një porosi: “Sot, nesër dhe gjithmonë, edhe kur sëmundja të të kaplojë dhe të gjithë ikin nga ti, ne do të jemi këtu pranë jush, të gatshëm të ju mbrojmë nga çdo frikë, çdo sëmundje dhe çdo shqetësim, pa asnjë kusht, pa asnjë çmim dhe pa kursyer veten. Ne gjithmonë bëjmë më të mirën që mundemi dhe misioni ynë është për t’ju rikthyer shëndetin tuaj.”
‘Dita Ndërkombëtare e Infermierëve’ ofron një mundësi për të shënuar kontributin e stafit të infermierisë dhe të reflektojë në punën jetike që ata bëjnë çdo ditë. Këtë vit, kjo datë shënohet ndryshe, pasi stafi i infermierisë në të gjithë botën qëndrojnë të bashkuar në përgjigjen ndaj pandemisë globale COVID-19.
Në këtë vit, kërkohet nga të gjithë që të shfrytëzojnë ‘Ditën e infermierëve’, për t’ju thënë faleminderit stafit të infermierëve në të gjithë botën, në mënyrë që profesionalizmi i tyre të vlerësohet denjësisht.