Në ‘Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit’, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka bërë të ditur se ka lansuar një linjë të veçantë telefonike për raportimin e korrupsionit.
Në një njoftim për media, ministri i kësaj Ministrie, Dalibor Jevtiq (Dalibor Jevtić), citohet të ketë thënë se një luftë efektive kundër korrupsionit dhe çrrënjosjen e tij është e mundur vetëm nëse ata që raportojnë korrupsionin gëzojnë mbrojtje dhe siguri të plotë si dhe ndër të tjera thuhet: “Pjesëmarrja aktive e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile është e nevojshme në luftën kundër korrupsionit dhe qëllimi ynë kryesor duhet të jetë një shoqëri pa korrupsion, sepse vetëm një besim i tillë midis qytetarëve dhe institucioneve nuk do të jetë në asnjë mënyrë i dyshimtë.”
Tutje, në këtë njoftim për media bëhet e ditur se duke telefonuar në numrin 0800 01 800, të gjithë qytetarët, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në orën 16:00, mund të raportojnë korrupsionin në lidhje me punën e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në mënyrë anonime.
Çdo raportim i korrupsionit në numrin 0800 01 800, do të regjistrohet automatikisht dhe Policia e Kosovës dhe autoritetet kompetente gjyqësore dhe Zyra e Prokurorit, në përputhje me ligjin, do të ndërmarrin veprime hetimore dhe procedurale bazuar në raportet.