Situata e përgjithshme sa i përket pandemisë ‘COVID-19’, po vjen duke u lehtësuar në Kosovë. Duke u bazuar në këtë gjendje Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, mbrëmë (25.05) ka mbajtur një konferencë për media për të njoftuar mbi masat e reja lehtësuese për qytetarët.
Ai njoftoi se nga data 28 Maj, do të hapen objektet fetare në vend, gjithashtu njoftoi se nga kjo datë orari i lëvizjes për qytetarët do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në ora 21:00 të mbrëmjes. Deri në fund të këtij muaji po ashtu do të mbyllet karantina, në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend.
Vitia njoftoi se në fazën e tretë të lehtësimit të masave, që fillon me 1 qershor, në përputhje me situatën epidemiologjike, parashihen masa të reja lehtësuese të cilat do të çlirojnë edhe më shumë ekonominë. Po ashtu ai ka treguar se edhe çerdhet dhe shkollat do të hapen në përputhshmëri me situatën, derisa ka thënë se kufizimet po hiqen gradualisht, masat mbrojtëse duhet të forcohen vazhdimisht.
Ministri Vitia apeloi që të vazhdoni të keni kujdes të shtuar duke mbajtur distancën fizike prej 2 metra nga njëri-tjetri, pastaj të shmangni vizitat familjare, të përdorni maska kur dilni jashtë shtëpive dhe higjiena personale të jetë maksimale.