Vetëm 19 vjeç, pianistja Melisa Ibrahimi e cila vjen nga Mitrovica, është një shembull që dëshmon se dëshira, pasioni dhe puna kur gërshetohen së bashku, mund të tejkalojnë të gjitha kufijtë. Ka qenë vetëm 9 vjeçare, kur ka filluar të luaj në piano, instrument për të cilin ajo vazhdoi shkollimin në Shkollën e Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, për të vazhduar më pas edhe në shkollën e mesme dhe ajo aktualisht ndjekë studimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Arteve. Dëshira e madhe që të jetë një interpretuese e pianos në sallat më të mëdha botërore, kanë qenë motivi që Melisa të punojë fort, gjë që i është shpërblyer me shumë pjesëmarrje ndërkombëtare, nga ku ka dalë edhe fituese.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, ajo tregoi për disa nga pjesëmarrjet ndërkombëtare që ka pasur dhe se do të jetë interpretuese në dy prej sallave më të mëdha të Evropës: “Prej moshës shumë të vogël kam qenë pjesëmarrëse në gara brenda Kosovës, ku gjithmonë kam fituar, ndërsa garat ndër më të rëndësishmet janë garat ndërkombëtare. Në Beograd në “International Music Competition Beograd”, jam shpallur fituese e vendeve të 2-ta, dy herë. Kam marr pjesë edhe në një garë në Suedi që quhet “The Nordic Piano Competition”, ku kam arritur të fitoj medaljen e bronztë-vendin e tretë dhe kam qenë pjesëmarrëse në shumë gara të tjera si në Londër, në Gjermani etj. Në vitin 2022, unë do të jem pjesëmarrëse në disa koncerte, ku do të interpretoj në njërin prej sallave më të mëdha në botë, ku kanë interpretuar artistë të jashtëzakonshëm, është salla në Londër ‘Royal Albert Hall’ dhe gjithashtu në Gjermani në ‘Shtëpinë e Bethoven-it’.
Znj. Melisa, pati edhe një porosi për të gjithë: “Për të rinjtë dhe të gjithë njerëzit që kanë synim të arrijnë diçka, u them që të besojnë në veten e tyre, dijeni që brenda nesh, dëshira për të arritur është shumë më e madhe se sa ndonjë pengesë.”
Pianistja Ibrahimi, tregoi gjithashtu se në tetor të këtij viti, ajo do të mbajë një koncert recital edhe në Prishtinë.