Data e sotme 24 tetor, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Zhvillimit të Informacionit”, që ka për qëllim rritjen e vetëdijesimit për rëndësinë e informimit të drejtë dhe në kohë, për botën ku jetojmë, për gjithçka që na rrethon, duke filluar nga ngjarjet lokale, rajonale e ndërkombëtare, por edhe të drejtën e informimit për të gjitha ngjarjet që na preokupojnë në lidhje me mjedisin tonë dhe më gjerë. Vlerësohet se çdo ditë, më shumë se gjysma e njerëzimit përballet me probleme shëndetësore, ekonomike e sociale, që rrjedhin nga një zhvillim global jo i njëtrajtshëm.
Varfëria, konfliktet e armatosura, mbipesha, kanceri, HIV/AIDS, etj., janë vetëm disa nga sfidat që njerëzimit i duhet të kapërcejë sot. E më shumë informim, nënkupton më shumë ndërgjegjësim dhe më shumë përpjekje.
Në “Ditë Botërore të Zhvillimit të Informacionit”, po rikujtojmë listën që kanë përpiluar Kombet e Bashkuara, e që janë synim i realizimit të tyre deri në vitin 2023: Një botë pa varfëri; Uri zero; Shëndet dhe mirëqenie më të mirë; Edukim më cilësor; Barazi gjinore; Ujë i pastër dhe kanalizime; Energji e përballueshme dhe e pastër; Punë e denjë dhe rritje ekonomike; Zhvillim Industrial, inovacione dhe infrastrukturë; Të reduktohen pabarazitë; Qytete dhe komunitete të qëndrueshme; Konsum dhe prodhim i përgjegjshëm; Të mbrohet jeta nën ujë; Të mbrohet jeta në Tokë; Të kemi paqe, drejtësi dhe institucione më të forta si dhe Të arrihet partneritet për qëllime të përbashkëta.