Që nga vitit 2016, datave të shënuara në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, i është shtuar edhe 11 shkurti “Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë.”
Qellimi i kësaj ditë është ndërgjegjësimi i komunitetit por edhe vetë vajzave e grave për mundësitë dhe aftësitë që ato kanë për t’u zhvilluar në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës. Këtij qëllimi i është bashkuar edhe ‘Fondacioni Millennium i Kosovës’, përmes programit “Gratë në Energji”, ndërsa lidhur me këtë program, Radio KFOR-i ka kontaktuar me drejtorin ekzekutiv të këtij fondacioni, Petrit Selimi, i cili tregoi se janë të kënaqur me interesimin e madh të grave e vajzave për të qenë pjesë e këtij projekti: “Ne kemi vërejtur që mbi 90 përqind në peisazhin energjetik në kompani publike e private janë meshkuj. Prandaj po e lansojmë tash këtë program dhe do të paguajmë 6 muaj punë praktike për vajzat dhe grate, të cilat janë të interesuara të punojnë në energjetikë për gjashtë muaj. Ky projekt, që është i hapur për të gjitha qytetarët e Kosovës, është pjesë e një projekti më të madh ‘Gratë në Energji”, ku ne i kemi dërguar vitin e kaluar 28 gra dhe vajza kosovare për studime 2 vjeçare në Amerikë. Ato tani janë duke studiuar dhe kur të kthehen në Kosovë janë të obliguara të punojnë në fushën e energjisë, në fushën e energjisë solare dhe atë të erës.”
Z. Selimi, githashtu tregoi se tani është duke u zhivlluar programi i dytë i punës praktike, ndërsa në pranverë të këtij viti, do të lansohet edhe programi i tretë i cili do të përfshijë grante për bizneset apo ndërmarrëset gra e vajza, për t’ua mbuluar shpenzimet në investimet në prodhim apo në mjete më efiçientë të punës. Qëllimi i këtyre programeve është rritja e vetëdijës dhe pjesëmarrjes së grave ne fushën e energjetikes së Kosovës.