Data e sotme (01 dhjetor), që nga viti 1988, i dedikohet ‘Ditës Botërore Kundër Sidës’, me qëllim të ngritjes së vetëdijes në lidhje me këtë sëmundje dhe njëkohësisht na kujton se sida nuk është zhdukur.
Që nga fillimi i epidemisë së sidës, më shumë se 70 milionë njerëz janë infektuar, ndërsa mbi 35 milionë njerëz e kanë humbur jetën. Sot, rreth 37 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me HIV, nga të cilët 22 milionë, janë në trajtim. Ekziston një nevojë urgjente e rritjes së fondeve, rritjes së kujdesit, përmirësimit të edukimit si dhe luftimit të paragjykimeve për këtë sëmundje.
Virusi HIV nuk mund të depërtojë nëpërmjet lëkurës së padëmtuar dhe as nëpërmjet mbrojtjes që ofron një prezervativ. Ky virus, nuk mund të jetojë gjatë jashtë trupit të njeriut. Virusi nuk mund të transmetohet nëpërmjet kontakteve të tilla si: puthja, shtrëngimi i duarve, prekja e ndenjëses së banjës dhe përdorimi i lugëve, pirunëve dhe thikave të njëjta me personat e infektuar. Ai nuk transmetohet nëpërmjet pickimit të insekteve. HIV mund të transmetohet vetëm nëpërmjet shkëmbimit të një sërë lëngjesh trupore nga njerëzit e infektuar, siç janë gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale. Virusi HIV gjithashtu mund të transmetohet edhe nga nëna tek fëmija i saj, gjatë shtatzënisë apo gjatë lindjes.