Ekspertët e shëndetit këshillojnë që gjatë ditëve me temperatura të larta të shmanget ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 16:00, kur rrezet ultraviolet janë më të forta.
Për mbrojtje efektive, dermatologët rekomandojnë përdorimin e kremrave me faktor mbrojtës SPF 30 ose SPF 50. Personat me lëkurë të çelët, fëmijët dhe ata që qëndrojnë për periudha të gjata në plazh apo ambiente të hapura këshillohen të përdorin SPF 50.
Kremi mbrojtës duhet të aplikohet 15 deri në 30 minuta para ekspozimit në diell dhe të riaplikohet çdo dy orë, veçanërisht pas notit ose djersitjes.
Përveç kremit, ekspertët rekomandojnë përdorimin e kapelave, syzeve me filtër UV dhe veshjeve të lehta që mbulojnë lëkurën. Sipas tyre, mbrojtja e rregullt nga dielli është një nga mënyrat më të mira për të parandaluar djegiet, plakjen e parakohshme të lëkurës dhe për të ulur rrezikun e kancerit të lëkurës.







