Mjedisi natyror është baza e jetës në Tokë dhe mbrojtja e mjedisit përbën një nga sfidat më të mëdha të kohës moderne. Ndotja e ajrit, shkatërrimi i pyjeve, ndryshimet klimatike dhe humbja e biodiversitetit ndikojnë negativisht drejtpërdrejt në shëndetin e njerëzve dhe në ekuilibrin e ekosistemeve në mbarë botën. Prandaj, çdo vit më 5 qershor, Kombet e Bashkuara shënojnë “Ditën Botërore të Mjedisit”, për të theksuar se mbrojtja e planetit është përgjegjësi e përbashkët e gjithë njerëzimit.
Qëllimi i kësaj dite është të rrisë ndërgjegjësimin global për nevojën urgjente të mbrojtjes së mjedisit dhe të inkurajojë veprime konkrete për ruajtjen e natyrës si dhe synon të nxisë qeveritë, institucionet, organizatat dhe qytetarët që të kontribuojnë në reduktimin e ndotjes, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Po ashtu, kjo ditë shërben si thirrje për të ndryshuar zakonet e përditshme në favor të një jetese më të gjelbër, duke përfshirë riciklimin, kursimin e energjisë dhe mbrojtjen e hapësirave të gjelbra.







