Në stinën e ftohtë, Kosova çdo vit po përballet me ajrin e ndotur. Tash e sa vite, jemi pozicionuar në top vendet me ajrin më të ndotur në botë. Duke njohur rreziqet shëndetësore dhe mjedisore të ajrit të ndotur, Udhëheqësi i organizatës jo-qeveritare ‘Qendra e Ekologëve të Kosovës’, z. Yll Ahmeti, për Radio KFOR-it ka bërë thirrje që të bëhet më shumë në mbrojtjen e ambientit: “Kosovarët jetojnë në një ambient ku vazhdimisht rrezikohet mjedisi i tyre, ndotet ajri e uji dhe degradohet toka. Qytetarët çdo ditë po ballafaqohen me mbeturina, me deponi bërlloku gjithandej, keqpërdorime të tokës bujqësore, ndërtime të egra dhe pa leje, me ujëra të zeza, substanca kimike, plehra, pesticide, gazra që lirohen nga fabrika, automjete, djegia e gomave dhe plehrave. Kemi përplot mbeturina nga industria, bujqësia, institucionet shëndetësore, minierat, mbeturinat e ambalazheve të ndryshme. Po degradohen shtretërit e lumenjve. Po prehen pyjet, po organizohen aktivitete të pakontrolluara turistike dhe rekreative dhe kohëve të fundit gjithnjë e më shumë po konsumohet ushqimi gjenetikisht i modifikuar. Të gjitha këto, po ushtrojnë dukshëm ndikim shkatërrues mbi ambientin, po ndikojnë në zhdukjen e shumë specieve bimore dhe shtazore, në shfaqjen e sëmundjeve dhe po kërcënojnë edhe jetën e qytetarëve. Andaj, duke i parë këto dhe shumë probleme tjera të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë, ne si Qendër e Ekologëve të Kosovës (QEK), do të mundohemi që të jemi një zë shumë i fort i qytetarëve tanë në paraqitjen dhe zgjidhjen e këtyre problemeve në institucionet tona, qofshin ato lokale apo ato qendrore.”
Bashkë me thirrjen drejtuat institucioneve, z. Ahmeti, ka kërkuar nga të gjithë që ta shfrytëzojmë në mënyrë sa më racionale edhe energjinë elektrike: “Përdorimi i kujdesshëm dhe racional i burimeve të energjisë, është një tregues i një kulture të lartë të njeriut. Për të rritur vetëdijesimin për rëndësinë e ruajtjes së ambientit, institucionet përgjegjëse duhet që te kenë aktivitete të vazhdueshme informuese. Për një ambient të pastër duhet të kontribuojnë edhe qytetarët duke zbatuar në përditshmëri këto informata, qofshin ato në mbrojtjen e ambientit, apo të kursimit të energjisë elektrike.”
Në mënyrë që të zgjasim rezervat tona të energjisë për aq kohë sa të jetë e mundur dhe të mbrojmë shëndetin e planetit tonë, është thelbësore që të kursejmë energji dhe të zbatojmë një reduktim të vetëdijshëm të konsumit.