Më 8 janar, të vitit 1935, fillon historia për atë njeri që bota do ta njihte si i ‘jashtëzakonshmi’, Elvis Presley, i cili sot ka zënë vend në rubrikën “Artist of the day”. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Elvis Aaron Presley, ka lindur 30 minuta pas vëllait të tij binjak – Jesse Garon, i cili vdiq në minutat e parë kur erdhi në këtë botë. Elvis Presley u rrit si fëmijë i vetëm i një familjeje të varfër, e cila u zhvendos në Memfis, Tenesi, në vitit 1948. Duke qenë i influencuar nga muzika ‘country’ dhe rryma pop, karriera muzikore e Elvisit filloi në vitin 1954, nën ombrellën e shtëpisë diskografike ‘Sun Records’, në Memphis, ndërsa në vitin 1956 ishte kthyer në një sensacion ndërkombëtar, për t’u bërë ai që e njohim edhe sot si të tillë – ‘Mbret i Rock and Roll-it’.
Presley është i pavdekshëm, e kjo falë regjistrimeve muzikore që i ka lënë botës. Vlerësohet se më shumë se një miliard incizime të Elvis Presley-t, që është edhe një rekord botëror, janë shitur në të gjithë botën, incizime këto me ‘Sun Records’. Vetëm në Amerikë, Elvis ka pasur 150 albume dhe singla të ndryshme që janë certifikuar me çmime ‘Gold’, ‘Platinium’ dhe ‘multi platinium’ nga RIAA. Vlerësohet se 40% e incizimeve të Presley-t, janë shitur jashtë SHBA. Me jo më pak se 149 këngë, ai ka kryesuar toplistat muzikore në gjithë botën. Nga këto këngë, 114 kanë qenë pjesë e top 40-it në Billboard, 40 këngë kanë hyrë në top 10-she dhe 18 këngë kanë kryesuar vendin e parë në ‘Billboard Hot 100’.
Duke qenë figurë kyçe e shekullit të XX-të, Prelsey, përveç një këngëtar, ai ishte edhe ishte aktor. Përgjatë jetës së ‘shkurtër’ që pati, Elvis u paraqit në 33 filma. Në mesin e shumë të arriturave në karrierë, Elvis, ka qenë 14 herë i nominuar për çmimin ‘Grammy’, 3 prej të cilave i ka fituar. Çmimin ‘Grammy’, për ‘arritje jetësore’, e ka fituar kur ishte 36 vjeçar, ndërsa është dekoruar edhe me çmimin ‘Një nga 10 të rinjtë më të shquar të Amerikës’ nga United States Jaycees.
Talenti, fiziku, karizmi i tij, bënë që Elvis Presley edhe sot të jetë njëri ndër personalitetet më dominues të kulturës mbarë botërore. ‘Mbreti i Rock & Roll-it’, ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Memfis, më 16 gusht, të vitit 1977, kur ishte vetëm 42 vjeç.
Bota ka njohur meritat e tij në kulturë e art edhe pas vdekjes së tij, duke e dekoruar me çmime të shumta. Ai vazhdon të përmendet edhe pas vdekjes së tij, ku vetëm pak muaj më parë, kitara akustike e të ndjerit Elvis Presley “Martin D-18”, e vitit 1942, u shit në një ankand për 1.32 milionë dollarë.