Policia e Kosovës, po vazhdon të jetë në krye të detyrës, duke ofruar siguri për të gjithë, pa dallim. Ky institucion po ashtu, ruan rendin dhe kujdeset që të mos ketë shkelje në komunikacion.
Rreth statistikave të gjendjes së aksidenteve dhe tiketave të shqiptuara në trafik gjatë një viti, Radio KFOR-i kontaktoi me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha: “Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, përveç detyrave për garantimin e sigurisë së përgjithshme, ndërmerr veprime dhe operacione të vazhdueshme edhe në menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor. Nga muaji janar i vitit 2021, deri në janar të vitit 2022, nga Policia e Kosovës janë shqiptuar 46 mijë e 904 tiketa për shkelësit e rregullave në trafik.”
Në Kosovë gjatë periudhës së lartpërmendur, 7 persona kanë humbur jetën pas aksidenteve të trafikut, ndërsa 9 persona kanë vdekur në trafik. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafiku, që t’iu përmbahen dispozitave ligjore, të rritet vigjilenca, të shtohet kujdesi në respektimin e rregullave që dalin nga ligjet e trafikut, për të garantuar një siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Më poshtë lajmit mund të gjeni tabelën me të dhënat nga të gjitha fushat nga aksidentet në trafik nga janari i vitit 2021, deri në janar të vitit 2022: