Më 29 dhe 30 shtator u zhvillua ‘Komiteti Paraolimpik i Kosovës’, që u mbajt në kuadër të ‘Javës Evropiane të Sportit’, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Presidentja e Komitetit Paraolimpik, Njomza Emini, përshëndeti të gjithë të pranishmit e shumtë, të cilët ishin përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, e të cilët kishin një qëllim të përbashkët, t’i përkrahin personat me aftësi të kufizuar. Enkas për radio KFOR-in zonjusha Emini, tha: “Sporti i bashkon të gjithë, ky është mesazhi dhe krejt ajo çka ne duhet të punojmë që të jemi të gjithë të mobilizuar dhe të ndihmojmë këtë kategori.”
Më të lumturit e këtij aktivitet ishin padyshim pjesëmarrësit. Fituesi i garës ‘Vrapim me Karrocë’, në kategorinë e meshkujve, Ali Zeqiri për Radio KFOR-in u shpreh: “Në këto gara marr pjesë qe 14 vite, prej të cilave 13 herë kam dal fitues. Falënderoj KFOR-in, OSBE-, FSK-në, forcat policore për përkrahjen e tyre të vazhdueshme. Kam dal triumfues edhe në Amerikë, ku në mesin e 800 garuesve, isha pikërisht unë ai që fitova”.
Në mesin e 10 femrave, Vjollca Hoxha ishte fituese në disiplinën ‘Vrapim me Karrocë’, për të cilën këto aktivitete kanë një rëndësi të veçantë, meqenëse përveç kënaqësisë që të sjellin shpërblimet, krijimi i miqëve të rinj dhe takimi me ta përbëjnë po ashtu kënaqësi të madhe për të: “Vrapimi në karroca, e katërta me radhë kurse në garën me mundje duarsh, dola e treta, shtoi Vjollca”
Edhe për garuesen tjetër, fituese e vendit të tretë në disiplinën, ‘Mundje Duarsh’, Pranvera Musaj, këto aktivitete kanë rëndësi të veçantë: “Ky aktivitet është një dëshmi që edhe ne mund të ja dalim, të jemi pjesë e barabartë e shoqërisë, duke u angazhuar në gara sportive si dhe në nivele të ndryshme ku ne mund ta tregojmë veten, vetëm duhet që të na krijohen kushtet dhe mundësitë”, tha për Radio KFOR-in Pranvera Musaj.
Motra medicinale nga “Shtëpia për të rinjtë”, Vesna Jovanoviq, ishte po ashtu e pranishme në këtë aktivitet. Ajo për radio KFOR-in tha se duke pasur kontakt të rregullt me këta persona, e di shumë mirë se cilat janë nevojat e tyre: ” Është shumë e rëndësishme që këta persona të kenë mundësi të shoqërohen me njëri tjetrin, të tregojnë aftësitë dhe cilësitë që ata posedojnë. Shoqëria duhet t’i pranojë ata ashtu siç janë, por edhe të vlerësojnë gjithçka që arrijnë me zellin e tyre dhe t’ua bëjnë të ditur se edhe ata mund të jenë shumë të dobishëm”.
Me nevoja të veçanta apo jo, fëmijët janë e ardhmja! Institucionet dhe shoqëria, janë të detyruara që fëmijëve me nevoja të veçanta t’ua ofrojnë sigurinë dhe lumturinë.