Të enjten, me datën 07 mars, në Fakultetin “Haxhi Zeka” në Pejë, u mbajt konferenca kushtuar barazisë gjinore, organizuar nga Komanda Rajonale – Perëndim e KFOR-it, OSBE në Kosovë si dhe Fakulteti “Haxhi Zeka” në Pejë.
Në prani të përfaqësuesve të institucioneve të lartpërmendura, studentëve, përfaqësuesve komunal dhe përfaqësueseve të OJQ-ve, të Rajonit të Pejës, konferenca u hap nga Rektori i Fakultetit “Haxhi Zeka”, z. Armand Krasniqi, i cili theksoi: “Nënë Tereza, një ikonë e shquar shqiptare dhe një figurë botërore e dashurisë dhe shërbimit ndaj njeriut, na kujton se ‘Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe’. Kjo shënon thelbin e angazhimit tonë për të ndryshuar botën për të mirë. Në kontekstin e barazisë gjinore, kjo thënie përforcon idenë se çdo veprim i ndërmarrë për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar barazinë gjinore, madje edhe në formën më të vogël, është i rëndësishëm dhe i frytshëm. Dua të falënderoj KFOR Italian dhe OSBE-në për qasjen e tyre ndaj universitetit tonë, duke na dhënë mundësinë që bashkërisht mund të bëjmë gjëra të vlefshme dhe në dobi të të gjithëve.”
Fjalimin në konferencë e vazhdoi Komandanti i Komandës Rajonale – Perëndim i KFOR-it, Koloneli Francencesco Ferrara, i cili tha se është një kënaqësi e madhe të jesh i pranishëm, në një vend mbresëlënës shumetnik dhe më tutje shtoi: “Tema e barazisë gjinore është pjesë e një projekti të gjerë që po e nisim me të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke bashkuar një gamë të gjerë temash të ndërlidhura dhe reciprokisht përforcuese. Përfshirë zhvillimin socio-ekonomik, mbrojtjen e mjedisit, promovimin e mekanizmave kundër diskriminimit, sundimin e ligjit dhe sigurinë publike. Le të punojmë së bashku për të krijuar një botë ku çdo grua mund të jetojë pa frikë, paragjykime apo kufizime. Jam i sigurt se diskutimet në këtë ngjarje të rëndësishme do të japin fryt të dobishëm për të menduar mbi veprimet e mundshme pasuese.”
Me këtë rast edhe Drejtori i Zyrës Rajonale të OSBE-së në Pejë, z. Riccardo Celeghini siguroi që misioni i OSBE-së mbetet plotësisht i përkushtuar të vazhdojë të mbështesë kauzat e grave: ”Jam shumë i kënaqur që shoh këtu me ne, gra që janë aktive në institucionet vendore, shoqëri civile dhe organizata rajonale. Ne kemi punuar me ju në të kaluarën dhe do të vazhdojmë të punojmë me ju në të ardhmen për të promovuar vlerat gjinore në këtë rajon. Jam gjithashtu shumë i lumtur që na bashkohen kaq shumë studentë. Prania juaj, sot këtu, është vërtet e rëndësishme, pasi ju jeni liderët dhe aktivistët e së nesërmes dhe mund të luani një rol kyç në promovimin e barazisë gjinore, tani dhe në të ardhmen në Kosovë.”
Përgjatë kësaj konference u zhvilluan edhe 6-të diskutime të ndryshme, duke paraqitur shembuj femërorë të shoqërisë kosovare. Tema e diskutimeve ishte shtylla e pestë e qëllimit të OKB-së për një zhvillim të qëndrueshëm. Ndër to ishte edhe Togere Alessandra ADAMO, Komandant Toge e vendosur me Komandën Rajonale Perëndim, në kuadër të Misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja. Prezantimi i saj kishte për qëllim të ilustrojë para të pranishmëve, se si zbatohet Barazia Gjinore si pjesë e aktiviteteve ditore të KFOR-it.
Pastaj, diskutimet vazhduan edhe me përfaqësuesen si dëshmitare e Sportit të Alpinizmit, znj. Mrika Nikqi, anëtaren përfaqësuese të minoriteteve femra, znj. Silvia Raskoviq, përfaqësuesen e OJQ-ve të grave, znj. Adelina Paqarizi, studenten Albiona Kelmendi si dhe anëtaren e OSBE-së, znj. Hava Lajqi.
Në përfundim të kësaj konference, ku temë kryesore ishte “Barazia dhe zhvillimi gjinor: e ardhmja në duart tuaja”, të gjithë ishin njëzëri se duhet të punohet më shumë në fuqizimin e gruas kundër diskriminimit gjinor.