Sot përmes rubrikës “Artist of the day”, do të eksplorojmë në jetën dhe karrierën e këngëtares që
mban rekordin për numrin më të madh të debutimeve që kanë zënë vendin e parë, në historinë e ‘Billboard Hot 100’. Është fjala për këngëtaren Mariah Carey, e cila ka lindur më 27 Mars 1970, në New York.
Carey edhe si fëmijë mahniste nënën e saj, duke imituar këngëtarë të ndryshëm, qysh në moshën dy vjeçare. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Carey, u transferua në Manhattan, ku punoi si kameriere derisa vazhdonte studimet për kozmetikë, ndërsa ajo shkruante këngë dhe aktivisht ndiqte një karrierë muzikore natën. Kur ishte 18 vjeç, Carey dhe shoqja e saj, këngëtarja Brenda K. Starr, shkuan në një festë të organizuar nga CBS Records… Brenda e kishte bindur Carey-n, që të sjellë njërën nga kasetat e saj që kishte incizuar… Kaseta i ra në dorë Tommy Mottola-s, presidentit të Columbia Records (më vonë Sony), i cili po sa e dëgjoi, nënshkroi menjëherë kontratën me Mariah Carey dhe kështu vendosën që të fillojnë punën për albumin e saj të parë.
Mariah Carey, publikoi albumin e saj të pare në vitin 1990, ku përfshiheshin katër këngë ‘single’, që u radhitën Nr.1, në top-listat botërore si këngët: “Vision of Love”, “Love Takes Time”, “Some Day” dhe “I Don’t Wanna Cry.” Pas sukseseve të shumta deri në fundin e viteve të 90-ta, në korrik të vitit 2001, Carey u pranua në një spital në Nju Jork dhe u vu nën kujdesin psikiatrik pas një kolapsi fizik dhe emocional. Ajo u lirua nga spitali pas dy javësh trajtim. Në Dhjetor të vitit 2002, Carey publikoi albumin e saj të tetë me radhë, të cilin e titulloi ‘Charmbracelet’, i cili debutoi në vendin e tretë në top listat e albumeve më të dëgjuara të saj kohe. Këngëtarja dëshmoi që ajo ishte ende një nga artistet kryesore në biznesin e muzikës edhe me publikimin e albumit të saj të 15-të me radhë, i titulluar “Caution” (2018), i cili debutoi në pozitën Nr.5 në SHBA.
Në Dhjetor 2019, Carey, arriti një tjetër moment historik kur kënga e saj e festive “All I Want for Christmas Is You”, zuri vendin e parë në Billboard Hot 100, 25 vjet pas publikimit të saj, duke vendosur rekord për jetëgjatësi të një kënge.
Mariah ka shitur më shumë se 200 milion albume në të gjithë botën. Ajo është artistja e tretë grua me shitjet më të mëdha të të gjitha kohërave, sipas Shoqatës së Industrisë së Muzikës në SHBA. Jeta personale e Mariah Cary-t, gjithashtu ishte mjaft aktive. Nga diagnostikimi me çrregullimin bipolar II, e deri tek lidhjet e shumta, në qershor të vitit 1993, Carey u martua me Mottola-an, për t’u ndarë në vitin 1998. Pastaj Carey, u lidh me këngëtarin latin Luis Miguel, për tre vjet, por lidhja e tyre përfundoi në verën e vitit 2001…
Pas shtatë vitesh, Mariah, filloi një lidhje edhe me reperin dhe aktorin Nick Cannon dhe pasi u takuan për më pak se dy muaj, çifti u martua më 30 Prill, të vitit 2008, në një ceremoni sekrete në Bahamas. Në vitin 2011, Carey dhe Cannon mirëpritën lindjen e binjakëve… Por çifti njoftoi ndarjen e tyre në gusht të vitit 2014, pas gjashtë vjet martesë. Në janar të vitit 2016, Carey u fejua me biznesmenin australian James Packer ,në New York City, por në tetor të atij viti, u njoftua se çifti ishte ndarë.