Çdo vit, më 25 prill, shënohet “Dita Botërore e Malaries”, për të theksuar nevojën për veprim të përbashkët në luftë kundër kësaj sëmundjeje të rrezikshme, por në ditët e sotme mund të parandalohet dhe është e shërueshme.
Malaria – mbetet një nga sëmundjet infektive më vdekjeprurëse në botë, me miliona raste të raportuara çdo vit, kryesisht në vendet tropikale dhe subtropikale. Sipas të dhënave të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), vetëm në vitin 2023, u regjistruan mbi 240 milionë raste me malarie dhe rreth 600 mijë viktima, shumica e të cilëve ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç, në Afrikën Sub-Sahariane.
Prandaj, “Dita Botërore e Malaries” është një mundësi për të reflektuar mbi arritjet, për të identifikuar sfidat dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi rëndësinë e parandalimit dhe trajtimit të hershëm. Përpjekjet globale kanë shpëtuar miliona jetë, por për t’i dhënë fund malaries njëherë e mirë, nevojitet bashkëpunim i vazhdueshëm dhe angazhim i të gjithëve.







