Data e sotme, 2 tetori, njihet kudo në botë si “Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës”, e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, datë kjo që përkon me ditëlindjen e Mahatma Gandhit. Arsyeja e këtij kombinimi mes Gandhit dhe shënimit të kësaj dite në kalendarin botëror, qëndron në faktin se ai i rezistoi diskriminimit racor në Afrikën e Jugut, në mënyrë paqësore.
Në këtë ditë shpërndahen mesazhe kundër dhunës, përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit publik. Rezoluta konfirmon rëndësinë universale të parimit të jo-dhunës dhe dëshirën për të siguruar një kulturë paqeje, tolerance, mirëkuptimi e jo dhune.
Theksojmë se Gandhi, i cili ndihmoi në udhëheqjen e Indisë drejt pavarësisë, ka qenë frymëzim për lëvizjet jo të dhunshme, për të drejtat civile dhe ndryshimet shoqërore në të gjithë botën. Gjatë gjithë jetës së tij, Gandhi mbeti i përkushtuar ndaj besimit të tij, që ishte jo dhunë edhe në kushte shtypëse edhe përballë sfidave, që në dukje perceptoheshin si të pakapërcyeshme.