Ka nisur të enjten (22.08.24), në Mitrovicë, edicioni i dytë i festivalit ‘Mitrovica International Jazz Days’, me performancën e jashtëzakonshme të artistes me famë botërore, Gunhild Carling nga Suedia.
Radio KFOR-i ishte prezent gjatë gjithë ditës në hapjen e këtij Festivali, me ç’rast u realizuan edhe punëtori dhe aktivitete të ndryshme muzikore, me artistë të ndryshëm, përfshirë talent të rinj dhe artistë me renome. E tillë ishte edhe kantautorja e njohur me prejardhje nga Sllovenia, Mirna Bogdanoviç, fituese e disa çmimeve prestigjioze në xhaz, e cila ligjëroi para dashamirëve të këtij zhanri, duke demonstruar procesin e saj krijues dhe duke shpalosur njohuritë e saja në kompozim dhe shkrim të këngëve.
“Organizatorët më kanë kontaktuar përmes faqes sime zyrtare dhe në këtë mënyrë erdhi edhe bashkëpunimi ynë në këtë festival, ku unë jam ligjëruese e kësaj punëtorie. Shpresoj që përmes përvojës sime të gjatë muzikore, do të mund të shërbejë si frymëzim për muzikantët e rinj”, tha Mirna Bogdanoviç
Në lidhje me pritjet e edicionit të sivjetmë të këtij festivali dhe dedikimin e tij, themeluesja dhe këngëtarja e njohur Rona Nishliu, pohoi: “Zakonisht kam qejf të punoj shumë dhe nuk fokusohem në pritshmëri. Uroj që njerëzve të ju pëlqejë, që njerëzit të dëgjojnë për 3 ditë muzikë cilësore, muzikë të bukur, të tillë që ndoshta nuk kanë pasur rastin ta dëgjojnë gjatë kësaj vere. Veçantia e këtij edicioni është dedikimi i tij për gratë dhe vajzat në xhaz dhe hapësira që ne e ofrojmë për të rinjtë e talentuar”, nënvizoi Rona Nishliu.
Theksojmë që nga data 22 e deri më 24 gusht, Mitrovica është nikoqire e mbrëmjeve magjike me artistë të njohur nga vendi, rajoni dhe bota, në vendin prej nga kanë buruar shumë rryma muzikore, përfshirë edhe muzika xhaz në vendin tonë.







