Magazina 4YOU, është dëshmi që gazetaria mund të jetë urë që bashkon. E njohur tashmë për 22 vite ekzistencë anë e kënd Kosovës, Magazina 4YOU është një ndër botimet më origjinale në vend që buron nga misioni paqeruajtës i KFOR-it, dedikuar të rinjve. E shpërndarë falas në të gjithë Kosovën, 4You Magazine është bërë pjesë e përditshmërisë së shumë nxënësve dhe studentëve. Me një dizajn tërheqës dhe përmbajtje shumëgjuhëshe, revista i flet çdo komuniteti në Kosovë. Çdo muaj, 4You sjell artikuj për tema që prekin jetën e përditshme të të rinjve, nga arsimi e teknologjia, deri te arti, sporti dhe mjedisi. E pasur më shumë rubrika, revista i jep hapësirë shumë tematikave. Për shembull rubrika, si “Shkolla e muajit”, sjell histori suksesi të shkollave në vend. Duhet të përmendim që Magazina 4YOU, botohet edhe në alfabetin braille. Ky detaj tregon se misioni i 4YOU-së nuk ndalet vetëm tek informacioni, por shkon më tej, tek respekti për çdo individ dhe e drejta e secilit për të qenë pjesë e komunikimit publik.
Përmes 4YOU Magazinës, të rinjtë pa dallim, kanë mundësi të botojnë shkrimet e tyre të para, të shprehin opinionet dhe të kuptojnë se gazetaria është më shumë se thjesht raportim, është në shërbim të komuniteteve. Në çdo numër të 4YOU-së, fshihet një përpjekje për ta mbajtur gjallë shpresën se ardhmes, pasi Kosova është në duart e një rinie që di të komunikojë, të respektojë dhe të bashkëpunojë.







