Lufta kundër racizmit dhe të gjitha formave të diskriminimit është shtyllë kryesore e paqes dhe qëllim i përbashkët i shoqërive demokratike. Sot (21.03) shënohet ‘Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Diskriminimit Racor’, ku UNESCO u bën thirrje të gjitha Shteteve Anëtare dhe partnerëve të tyre, që të shtojnë përpjekjet e tyre për të ndërtuar një botë më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë.
Për të folur rreth kësaj dite, Radio KFOR-i ka kontaktuar koordinatorin e projekteve në organizatën jo-qeveritare ‘Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut’, z. Vilson Haxholli, i cili foli për rëndësinë e luftimit të kësaj dukurie: “Organizata jonë vazhdimisht avokon dhe promovon të drejtat e njeriut pa dallim gjinie, race, feje apo etnie dhe është shumë e rëndësishme që ditë të tilla të shënohen për të parandaluar diskriminimet në çfarëdo forme. Përmes trajnimeve dhe aktiviteteve tona ne mundohemi të vetëdijesojmë të rinjtë, që diskriminimi nuk është opsion dhe askush nuk duhet të ndihet i diskriminuar në bazë të ndonjë karakteristike siç është në këtë rast raca.”
Z. Haxholli tregoi gjithashtu se organizata e tyre ka krijuar platformën online: edrejtajem.org , përmes së cilës pranojnë raportime mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ndër të tjera tregoi se kanë pasur disa raste të raportimeve të diskriminimeve në baza racore edhe në Kosovë.