Me 14 janar, në gjithë botën shënohet ‘Dita e Logjikës’, e krijuar që nga viti 2019 nga UNESCO, për të nderuar dhe promovuar rëndësinë e mendimit të qartë dhe të strukturuar, një element kyç ky, që ka formësuar zhvillimin e shoqërisë dhe arritjet intelektuale për shekuj me radhë. Kjo ditë ka për qëllim të nxisë reflektimin mbi përdorimin e logjikës në të gjitha fushat e jetës, nga shkenca e deri te filozofia, duke nënvizuar domosdoshmërinë e saj për marrjen e vendimeve të arsyeshme dhe të sakta.
‘Dita e Logjikës’, korrespondon me datën e vdekjes së Kurt Gödel dhe datën e lindjes së Alfred Tarskit, dy prej mendimtarëve më të shquar të shekullit të njëzetë.
Logjika është një shkencë që studion strukturat e argumenteve dhe lidhjet midis ideve. Ajo ndihmon në krijimin e mendimeve të arsyeshme dhe të qëndrueshme, duke i mundësuar individëve të zbërthejnë probleme dhe të formulojnë zgjidhje. Në një botë që po bëhet gjithnjë e më komplekse, ku informacioni është i bollshëm dhe i shpërndarë në mënyra të ndryshme, logjika është kyçe për të bërë seleksionimin e informacionit të vlefshëm dhe për të shmangur pasigurinë ose keqinterpretimin.