Përmes një programi të “Reconciliation and Conflict Transformation”, i zbatuar nga Community Building Mitrovica dhe partnerët “New Social Initiative”, “Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut – Kosovë”, dhe e mbështetur nga populli amerikan përmes USAID Kosovo, dje u mbajt aktiviteti “Living Library” një ngjarje që tregon fuqinë e përhapjes së historive pozitive që frymëzojnë dhe sjellin ndryshime në shoqëri. Ishin dy të rinjtë, aktivistë nga komuniteti serb dhe rom, Dimitrije Obrenović dhe Rubija Redzepi, të cilët treguan për punën dhe angazhimin e tyre si aktivistë, duke ndihmuar dhe kontribuar në ndërtimin e paqes.
Rreth këtij aktiviteti në fjalë, ne biseduam me koordinatoren e projekteve në organizatën “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, Anida Gjurgjiali e cila na tregoi se ky aktivitet mbahet për të katërtin vit me radhe. “Qëllimi i këtij aktiviteti është që të tregojmë se si komunitetet e ndryshme mund të jetojnë në harmoni. Nga shoqëritë që janë krijuar neper këto evente, nga bisedat që i kanë bërë me njeri-tjetrin kanë filluar edhe ata me u kyç në aktinizëm, apo me vullnetarizëm dhe me qenë pjesë e aktiviteteve. Kështu që mundemi të themi se ky rrjetëzim i tyre ka ndikuar pozitivisht tek të rinjtë dhe aktivizimin e tyre”.
Një gjë të tillë na e dëshmon edhe aktivistja, Andrea Todic e cila për Radio KFOR-in tha:” Me përpjekjet e përbashkëta dhe kontributin e gjithsecilit, mund të arrijmë një shoqëri të qëndrueshme dhe paqësore për të gjithë”. Po të njëjtin mendim kishte edhe aktivisti Dimitrije Orbanovic, i cili me tregimet e tija te suksesin në fushën e aktivizmit frymëzoi të rinjtë pjesëmarrës. Për radio KFOR-in ai theksoi: “Paqja është qëllimi përfundimtar, por para kësaj duhet mirëkuptim. Është thelbësore që të njohim shkaqet e mosmarrëveshjes dhe të punojmë së bashku drejt pajtimit. Paqja arrihet duke ndërtuar besim dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet”.
Aktiviteti frymëzues për të rinjtë e të gjitha komuniteteve në Kosovë “Living Library” do të mbahet serish në muajin qershor.