Më 21 qershor, në ora 19:00, në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, do të shfaqet premiera e baletit të njohur botëror “Liqeni i Mjellmave (Swan Lake)”.
Shfaqja vjen në bashkë-organizim me Shkolla e Baletit Angels dhe sjell në skenë një nga veprat më të famshme të repertorit klasik, e cila trajton historinë e dashurisë, sakrificës dhe triumfit të dritës mbi errësirën. Baleti do të interpretohet nga balerinë të rinj të shkollës si dhe artistë të ftuar.
Koreografia është realizuar nga Sead Vuniqi dhe Vlora Prizreni, ndërsa muzika e shfaqjes është e kompozitorit të njohur P. I. Çajkovski. Në role kryesore do të paraqiten Elsa Resuli ne rolin e Odeta, Jarmando Meci (Teatri i Operës, Tiranë) si Princi si dhe Sead Vuniqi (Baleti Kombëtar i Kosovës) në rolin e Von Rothbart.
Premiera pritet të sjellë një mbrëmje artistike të veçantë me interpretim klasik dhe atmosferë të pasur skenike.







