Që nga viti 2015, për dashamirët e leximit është krijuar një hapësire virtuale në facebook, e quajtur “Maniakë t’leximit”, ku deri tani janë rreth 29 mijë libërdashës, të cilët shkëmbejnë idetë e tyre në grupin respektiv.
E veçantë e këtij grupi janë edhe takimet të cilat kohë pas kohe ata i realizojnë, në ambiente të këndshme librash, ku ata, tashmë verbalisht shprehin mendimet që kanë për librin dhe të lexuarit në përgjithësi.
Se çfarë përmbajnë këto takime, na tregon njëri ndër nismëtarët e krijimit të këtij grupi, Egzon Bunjaku :
“ Në grup kryesisht ka pjesëza nga vepra të ndryshme, krijimtari të shkurtra në prozë dhe poezi nga anëtarët si dhe recensione. Pos takimeve virtuale, kemi organizuar klube të leximit në kryeqytet dhe pretendojmë që në të ardhmen të zgjerohemi edhe nëpër vende të ndryshme të Kosovës”, u shpreh për Radio KFOR-in, Egzoni.
Siç na njoftoi ai, një grup prej 15 deri 20 lexues, zakonisht mblidhen në librari të ndryshme të Prishtinës, ku përveç socializmit mes vete, ata shkëmbejnë propozime e rekomandime për lexim të librave të ndryshëm, dëgjojnë muzikë të bukur në prapavijë dhe kalojnë momente mbresëlënëse së bashku.