Rëndësia e librit në jetën tonë është e shumëfishtë. Përveç zhvillimit të imagjinatës dhe njohurive të përgjithshme, libri e mban mendjen aktive dhe na ofron mundësi të njohim ngjarje e histori të ndryshme nga e gjithë bota vetëm duke lexuar.
Për të mësuar se cilët janë titujt më të rinj të cilët kanë arritur edhe në vendin tonë së fundmi, Radio KFOR-i bisedoi me koordinatoren e librarisë ‘Dukagjini’, Iliriana Hasaj: “Librat që do të prezantoj nuk bën pa i lexuar sepse janë shkruar në një mënyrë mjeshtërore. Fillimisht do të përmendja një autor të ri, është shkrimtari shqiptaro-italian, Elvis Malaj, me librin ‘Nga veranda jote duket shtëpia ime’. Pastaj libri ‘Njerëz normal’, nga autorja, Sally Rooney, që është kthyer edhe në një seri shumë të famshme, tashmë e kemi të përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Romani autobiografik ‘Kështjella prej xhami’, po ashtu është një libër i mrekullueshëm nga autorja, Jeannette Walls, që shpalos historinë e saj dhe të familjes së saj. Për fund, do të propozoja librin e famshëm nga ish-presidenti Amerikan, Barack Obama ‘A Promised Land’, që ka arritur miliona shitje në gjithë botën.”
Sa i përket titujve shumë të kërkuar për fëmijë, të cilët janë përkthyer dhe kanë arritur në vendin tonë, zonja Hasaj, tha: “Është libri ‘Aventurat e kapiten Brekushit’ nga shkrimtari, Dav Pilkey, pastaj libri ‘Qeni Shkop’ nga autori Tom Watson. Pastaj ka arritur edhe një libër shumë atraktiv për fëmijë, libri ‘Uta e Maleve’ nga autorja shqiptare, Uta Ibrahimi, një libër me ilustrime që flet për historinë e një vajze të vogël.”