Të rinjtë kosovarë, po bëhen çdo ditë e më të njohur në vend dhe jashtë vendit, për aftësitë e shumta teknologjike. Shoqëria jonë numëron komunitete të mëdha zhvilluese të aplikacioneve, faqeve, etj., por në mesin e tyre e kemi edhe një komunitet që është më i vogël se të parët, por të cilët janë shumë aktivë. Fjalën e kemi për zhvilluesit e industrisë së lojërave, aty të rinjtë tanë po ashtu po shkëlqejnë. Lekë Sahatqija, që është zhvillues i pavarur i video-lojërave, nga dashuria dhe pasioni për to, ka arritur që të ketë sukses, duke lënë gjurmë në këtë industri. Lekë Sahatqija që është Solo Game Developer, sapo ka lansuar video-lojën ‘CRUX’, të cilën e ka krijuar ai vet. Në një intervistë për Radio KFOR-in, Leka tha: “CRUX është një lojë për kompjuter, është një lojë e cila është e bazuar për nga dizajni në lojërat e viteve të 90-ta, me të cilat unë jam rritë duke i luajtur dhe kam dashur që të krijoj diçka që është në atë natyrë, sepse ato lojëra më nuk janë të famshme në ditët e sotme, e unë kam dashur diçka moderne me atë natyrë të lojërave retro. Sa i përket asaj se si funksionon ajo, loja është me nivele dhe qëllimi i lojës është me e përfundu të gjithë lojën, në një sesion. Secilën herë që përdoruesi nuk mundet që ta kryejë lojën, ajo kthehet nga fillimi. Loja luhet vetëm, nuk ka ekipe kundërshtare por aspekti garues i lojës vjen prej leaderboard-ave, d.m.th. është një klasifikim i lojtarëve kush është më i mirë dhe kush është më i shpejti me e përfundu lojën.”
Dëshira për krijimin e kësaj video-loje i ka lindur prej shumë kohësh, ndërkohë viteve të fundit puna për zhvillimin e saj është intensifikuar dhe siç na tregoi Leka, ai ka punuar me intensitet të lartë për 1 vit e gjysmë, për ta plasuar atë online. Në mesazhin e tij, Leka ka inkurajuar të gjithë të rinjtë, ata që duan të jenë zhvillues të video-lojërave, të mos ndalen, pavarësisht vështirësive: “Me zhvillu lojëra nuk është e lehtë, por në anën tjetër është një punë që të sjell shumë kënaqësi. Edhe pse është e vështirë, e bukura është që ka ndryshuar industria në këto 10-15 vitet e fundit dhe unë si zhvillues ë Kosovë, kam qasje në të njëjtat tregje, në të njëjtat pajisje, në të njëjtat softuerë sikurse çfarëdo developeri kudo tjetër në botë, kështu që nuk e kemi më atë barrierë që nuk mundemi me i dërgua CD-të nëpër botë, tash mundemi nga Kosova me i bë lojërat edhe me shitë në krejt botën, për sa kohë që projekti është i mirë.”
Të gjithë ju që jeni video-gamer dhe i dëshironi sfidat, këtu mund ta gjeni linkun për të shkarkuar lojën ‘CRUX’: