Nesër (07.02.20), duke filluar nga ora 19:00, do të lansohet databaza e parë e artit në Kosovë nga Galeria “Qahili”. Me këtë rast, Radio KFOR-i ka kontaktuar themeluesen dhe njëherit Drejtoreshën Menaxhuese në galerinë “Qahili”, Nita Qahilin, nga e cila mësoi se si është nisur ideja për këtë databazë dhe çfarë do të përmbajë ajo:“Databaza.art është zhvilluar nga Galeria Qahili dhe është krijuar si pasojë e mungesës së një baze të përqëndruar me informata rreth artit dhe kulturës kosovare dhe mungesën e njohurisë nga masa rreth saj. Kjo databazë dixhitale e historike do të ofroj informata të detajuara rreth zhvillimit të artit dhe artistëve në Kosovë. Do të përmbaj informata të karrierës së artistëve, si informacion të hulumtueshëm, unik dhe të detajuar, duke lejuar që kjo platformë dixhitale të veprojë si një filtrues brenda botës së artit”, tha ajo.
Tutje, Znj. Qahili tregoi kush do të përfitoj më së shumti nga kjo databazë, e para e këtij lloji në Kosovë:“Varësisht se prej cilit kënd e shikon databazën, do të jenë disa grupe të cilat do të përfitojnë – artistët si dhe aktorët kryesor të botës së artit (jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj)”, përfundoi ajo.
Nëse jeni të interesuar të dini më shumë për veprimtarinë krijuese të artistëve tanë mjafton të qaseni në vegzën: databaza.art.