Lajmërimi apo kallëzimi i rremë në polici, përveç që mund të shkaktojë pasoja që prekin shumë sfera, është po ashtu vepër e dënueshme me ligj. Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit punon me përkushtim në menaxhimin e sigurisë dhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë, e rol të veçantë i kushton edhe informimit të drejtë dhe transparent.
Në një përgjigje të policisë për Radio KFOR-in, në lidhje me lajmërimet apo kallëzimet e rreme, Policia e Kosovës bënë thirrje tek të gjithë banorët e Kosovës, që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e keqinformimit apo kallëzimit të rremë: “Ne inkurajojmë qytetarët dhe publikun në përgjithësi që të jenë të kujdesshëm ndaj shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe dezinformatave, pasi që ato paraqesin një kërcënim të madh për shoqërinë. Besoni vetëm në burimet zyrtare të informacionit dhe raportoni çdo përmbajtje të dyshimtë, për të na ndihmuar që të mbajmë një komunitet të sigurt dhe të informuar mirë!”
Siç bëjnë të ditur Policia e Kosovës, nga fillimi i janarit 2023, e deri më tani, bazuar në kodin penal, ka trajtuar mbi 40 lajmërime apo kallëzime të rreme.