Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me atë që ka zgjuar kërshëri tek njerëzit. Pse Apple kur prezanton produkte të reja, gjithmonë e vendos orën 9:41?! – E kjo daton që nga koha e Steve Jobs, e ka shpjeguar kështu ish-kreu i ekipit të softuerit iPhone/iPad, Scott Forstall, i cili tha se prezantimi kryesor i produkteve të reja ndodh zakonisht 40 minuta pas fillimit të ngjarjes dhe për të përputhur kohën reale me atë në ekran, ata vendosën fillimisht orën 9:42. Megjithatë, gjatë një prezantimi praktik, Jobs vuri re se prezantimi ndodhi në orën 9:41 dhe si perfeksionist që ishte, ai ndryshoi orën në atë kohë për të gjitha pajisjet.
Të reja këtë javë kemi edhe nga WhatsApp, ku nga ky aplikacion bëhet e ditur se duke filluar nga 24 shkurti 2025, WhatsApp nuk do të funksionojë më në disa modele të vjetra të iPhone, siç janë: iPhone 6, iPhone 5s dhe iPhone 6 Plus, pasi ato nuk mund të përditësohen në iOS 14.1, që njëherit është versioni minimal i kërkuar për aplikacionin.
Të reja teknologjike kemi edhe nga Kosova e rajoni. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka organizuar në Tiranë finalen dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve të edicionit të pestë të Balkathon, një konkurs digjital rajonal. Fituesit përfshinin ekipe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Ekipi DARN nga Kosova që njëherit është edhe një nga fituesit e kësaj ngjarjeje, zhvilloi një aplikacion që përdor teknologjinë inteligjente për ta bërë mbledhjen e mbetjeve më efikase, duke kursyer kohë, karburant dhe duke reduktuar ndikimin mjedisor.







