Portali ‘KultPlus’ në Prishtinë ka organizuar një takim në formën e rrëfimeve me gra të suksesshme në fusha të ndryshme në Kosovë. Pjesë e rrëfimit në hapjen e ‘KultWoman’, sot (23.01.19) do të jetë e ftuar pianistja dhe profesoresha Lejla Pula e cila do të rrëfej për karrierën e saj profesionale.
Në këtë takim të organizuar nga ‘Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian’, pianistja Pula do të shpalosë vështirësitë dhe sfidat e saj gjatë udhëtimit të saj në karrierë.
Në një intervsitë për Radio KFOR-in, Lejla Pula, tregoi për eksperiencën e saj që do të ndaj me publikun:
“Ky organizim është një lloj rrëfimi jetësor, i cili flet për ngritjen dhe përvojën profesionale të personaliteteve, (në këtë rast grave), që pas vetit kanë pervojën e gati një jete të terë. Në rastin tim, më shumë se 42 vite si pianiste koncertale dhe 38 vite punë pedagogjike në ‘Fakultetin e Arteve’ në Prishtinë”, tregoi Pula.
Lejla Pula është një ndër pianistet më të suksesshme në vend, ajo po ashtu udhëheqë festivalin ‘Chopin Piano Fest’, në Prishtinë.
‘KultWoman’ është projekt i implementuar nga KultPlus, financuar nga ‘Culture for Change’ – program i Bashkimit Evropian në Kosovë.