Sot, më 4 mars, shënohet ‘Dita Botërore e Obezitetit’, një ditë ndërkombëtare që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rrezikun e obezitetit dhe ndikimin serioz që ai ka në shëndetin e njerëzve në mbarë botën.
Ekspertët theksojnë se obeziteti nuk është thjesht çështje estetike, por një sëmundje kronike që lidhet drejtpërdrejt me rrezik më të lartë për diabet, sëmundje të zemrës, tension të lartë të gjakut si dhe disa lloje kanceri. Numri i personave me mbipeshë dhe obezitet vazhdon të rritet çdo vit, si pasojë e stilit të jetesës, konsumit të ushqimit të përpunuar dhe mungesës së aktivitetit fizik.
Organizatat shëndetësore nënvizojnë se parandalimi i saj mbetet çelësi. Një ushqyerje e balancuar, aktivitet fizik i rregullt, gjumë cilësor dhe kujdes për shëndetin mendor janë hapa të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm. Po ashtu, kërkohet angazhim më i madh institucional për politika që promovojnë ushqimin e shëndetshëm dhe krijimin e hapësirave që nxisin lëvizjen apo stërvitjet.
Mesazhi i kësaj dite është i qartë ‘Ndryshimet e vogla në përditshmëri, mund të sjellin përmirësime të mëdha në shëndet’.







